Sureja nr. 90 në Mus'haf, 20 ajete, fillon në faqen 594.
بِسۡمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحۡمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ
1. Betohem në këtë qytet[1],
[1] Meka.
2. në të cilin ti je i lirë,
3. dhe (betohem) në babanë dhe në të lindurin,
4. se Ne e kemi krijuar njeriun në mundime të njëpasnjëshme.
5. Vallë, a mendon ai se askush nuk ka fuqi mbi të?!
6. Ai thotë: "Kam shpenzuar shumë pasuri."
7. A mos mendon ai se nuk e ka parë askush?!
8. A nuk i dhamë Ne atij dy sy,
9. një gjuhë e dy buzë
10. dhe ia treguam dy rrugët?
11. Ndërkohë, ai nuk e ka kapërcyer të përpjetën.
12. E nga e di ti se ç’është e përpjeta?
13. Ajo është të lirosh një rob
14. ose t'i japësh ushqim në ditë urie
15. një jetimi të afërm
16. ose një të varfri të pangrënë,
17. si dhe të jesh prej atyre që besojnë, që këshillojnë njëri-tjetrin për durim dhe këshillojnë për mëshirë.
18. Këta janë njerëzit e krahut të djathtë,
19. kurse ata që përgënjeshtrojnë ajetet Tona, ata janë njerëzit e krahut të majtë,
20. mbi të cilët do të jetë një Zjarr i mbyllur.
Përkthimi i kuptimeve: Albanian Translation - Rowwad Translation Center, versioni 1.0.5, botuar pa ndryshime nga QuranEnc.com. (QuranEnc.com)
Përkthimi përcjell kuptimet e Kur'anit; ai nuk është vetë Kur'ani, i cili është teksti arab më sipër.