Sureja nr. 89 në Mus'haf, 30 ajete, fillon në faqen 593.
بِسۡمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحۡمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ
1. Betohem në agimin,
2. në dhjetë netët[1],
[1] Shumica e dijetarëve të tefsirit mbrojnë mendimin se këtu bëhet fjalë për dhjetë ditët e para të muajit dhul hixhe.
3. në çiftin dhe tekun,
4. dhe në natën kur kalon!
5. A nuk mjafton ky betim për atë që ka mend?!
6. A nuk e ke parë çfarë bëri Zoti yt me adët,
7. banorët e Iremit me shtylla të larta,
8. që s'ishte krijuar diçka e ngjashme në asnjë vend.
9. dhe me themudët, që gdhendnin shkëmbinjtë në luginë,
10. si dhe me Faraonin, njeriun e hunjve,
11. të cilët shkelën kufijtë nëpër botë,
12. duke shtuar shthurjen në to?!
13. Prandaj, Zoti yt lëshoi mbi ta kamxhikun e dënimit.
14. Vërtet, Zoti yt është gjithmonë në pritë.
15. Sa i përket njeriut, kur Zoti e sprovon duke e nderuar (me pasuri) dhe duke i dhuruar mirësi, ai thotë: "Zoti im më ka nderuar."
16. Por, kur e sprovon duke ia pakuar rrizkun, ai thotë: "Zoti im më ka poshtëruar."
17. Jo, nuk është ashtu! Por, ju nuk e nderoni jetimin,
18. nuk nxitni njëri-tjetrin për të ushqyer të varfrin,
19. e hani trashëgiminë me pangopësi,
20. dhe e doni pasurinë tepër fort.
21. Jo! Kur Toka të dridhet me tronditje të njëpasnjëshme,
22. e të vijë Zoti yt me melekët të rreshtuar radhë-radhë,
23. dhe kur të sillet Xhehenemi, atë Ditë njeriu do të kujtohet, por ç’dobi do t'i sjellë kjo kujtesë!
24. Ai do të thotë: "Ah, sikur të kisha bërë diçka për jetën time!"
25. Atë Ditë, askush nuk do të dënojë siç dënon Ai
26. dhe askush nuk do të prangojë siç prangon Ai.
27. O shpirt i qetë!
28. Kthehu te Zoti yt, i kënaqur e i pranuar!
29. Hyr në mesin e robërve të Mi
30. dhe hyr në Xhenetin Tim!
Përkthimi i kuptimeve: Albanian Translation - Rowwad Translation Center, versioni 1.0.5, botuar pa ndryshime nga QuranEnc.com. (QuranEnc.com)
Përkthimi përcjell kuptimet e Kur'anit; ai nuk është vetë Kur'ani, i cili është teksti arab më sipër.