Sureja nr. 78 në Mus'haf, 40 ajete, fillon në faqen 582.
بِسۡمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحۡمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ
1. Për çfarë po pyesin ata njëri-tjetrin?
2. Për Lajmin e madh,
3. lidhur me të cilin janë në kundërshti.
4. Jo! Por, ata do ta marrin vesh!
5. Sërish jo! Ata do ta marrin vesh patjetër!
6. A nuk e bëmë Tokën të përshtatshme
7. dhe malet shtylla?!
8. Ne ju krijuam në çifte,
9. dhe gjumin jua bëmë pushim
10. e natën jua bëmë mbulesë,
11. kurse ditën për jetesë.
12. Ne ndërtuam mbi ju një shtatëshe[1] të fortë
[1] shtatë qiej.
13. dhe bëmë një kandil shndritës.
14. Ne lëshuam nga retë ujë me bollëk,
15. që të rrisim drithëra, bimë
16. dhe kopshte të dendura.
17. Dita e Vendimit Përfundimtar është e caktuar,
18. Dita kur do t'i fryhet Surit dhe ju do të vini grupe-grupe,
19. kur qielli do të hapet në shumë dyer
20. dhe malet do të shkulen nga vendi e do të duken si vegim.
21. Vërtet, Xhehenemi është pritë,
22. vend kthimi për shkelësit e kufijve,
23. ku do të qëndrojnë përherë.
24. Aty nuk do të shijojnë freski e as pije,
25. përveç ujit të valë dhe qelbit,
26. si ndëshkim i merituar.
27. Ata nuk prisnin të jepnin llogari
28. dhe përgënjeshtronin rëndë ajetet Tona.
29. Ndërkohë, Ne çdo gjë e kemi shënuar me saktësi.
30. Prandaj shijoni! Ne nuk do t'ju shtojmë gjë tjetër përveç dënimit.
31. Me të vërtetë, për të devotshmit do të ketë fitore:
32. kopshte e vreshta,
33. vasha të një moshe
34. dhe kupa (vere) të mbushura plot.
35. Aty nuk do të dëgjojnë fjalë të kota e as gënjeshtra.
36. Si shpërblim nga Zoti yt, dhuratë e mjaftueshme,
37. Zoti i qiejve e i Tokës dhe i gjithçkaje që gjendet ndërmjet tyre, i Gjithëmëshirshmi. Askush nuk mund të flasë para Tij.
38. Atë Ditë, kur Shpirti (Xhibrili) dhe melekët do të qëndrojnë radhë-radhë; askush nuk do të flasë, përveç atij që i jep leje i Gjithëmëshirshmi dhe që thotë fjalë të drejta.
39. Kjo është Dita e vërtetë, prandaj kush të dojë, le të marrë rrugën e kthimit për te Zoti i vet.
40. Ne ju kemi paralajmëruar për një dënim të afërt, Ditën kur njeriu do të shohë çfarë kanë bërë duart e veta dhe kur jobesimtari do të thotë: “Ah, sikur të isha bërë pluhur!”
Përkthimi i kuptimeve: Albanian Translation - Rowwad Translation Center, versioni 1.0.5, botuar pa ndryshime nga QuranEnc.com. (QuranEnc.com)
Përkthimi përcjell kuptimet e Kur'anit; ai nuk është vetë Kur'ani, i cili është teksti arab më sipër.