Sureja nr. 79 në Mus'haf, 46 ajete, fillon në faqen 583.
بِسۡمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحۡمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ
1. Betohem në ata (melekë) që i nxjerrin shpirtrat me ashpërsi,
2. në ata që i nxjerrin me lehtësi,
3. në ata që lundrojnë,
4. si dhe në ata që prijnë
5. dhe në ata që rregullojnë çështjet!
6. Ditën kur do të ndodhë gjëmimi tronditës[1],
[1] Bëhet fjalë për fryrjen e parë në sur, kur do të ndodhë Kiameti.
7. i cili do të ndiqet nga një tjetër gjëmim,
8. disa zemra, atë Ditë, do të jenë të tmerruara
9. e sytë e tyre do të bien përdhe.
10. Ata thonë: "Vallë, a do të kthehemi sërish në jetë?!
11. Edhe pasi të jemi bërë eshtra të kalbura?!"
12. E do të thonë: "Atëherë, ky do të ishte një kthim dëshpërues!"
13. Në të vërtetë, ajo do të jetë një buçimë e vetme (e surit)
14. dhe përnjëherësh do të gjenden në sipërfaqe (të ringjallur).
15. A e ke dëgjuar ndodhinë e Musait?
16. Kur Zoti i tij e thirri në luginën e shenjtë Tuva:
17. "Shko te Faraoni, se ai vërtet e ka tepruar.
18. Thuaji: "A dëshiron të pastrohesh
19. dhe të të udhëzoj drejt Zotit tënd, që t'ia kesh frikën?"
20. Ai (Musai) ia tregoi mrekullinë më të madhe,
21. por ai përgënjeshtroi e kundërshtoi.
22. Pastaj ktheu shpinën, duke bërë përpjekje
23. dhe i tuboi njerëzit e thirri,
24. duke thënë: “Unë jam zoti juaj më i lartë!”
25. Prandaj, Allahu e ndëshkoi me dënim në botën tjetër dhe në këtë botë.
26. Vërtet, në këtë ka mësim për këdo që ka frikë (Allahun).
27. Vallë, cili është më i vështirë: krijimi juaj apo i qiellit? Ai e ndërtoi atë,
28. ia ngriti kupën lart dhe e përsosi.
29. Natën ia bëri të errët e ditën të ndritshme.
30. E pastaj tokën e bëri të sheshtë.
31. Prej saj nxori ujin dhe kullotat,
32. kurse malet i bëri të patundshme,
33. që t'i gëzoni ju dhe bagëtitë tuaja.
34. E, kur të vijë fatkeqësia më e madhe,
35. atë Ditë njeriu do të kujtojë çfarë ka bërë
36. dhe Zjarri flakërues do të shfaqet hapur për këdo që sheh.
37. Sa i përket atij që ka kaluar kufijtë
38. dhe i ka dhënë përparësi jetës së kësaj bote,
39. sigurisht që Zjarrin flakërues do ta ketë strehë.
40. Ndërkaq, ai që i është frikësuar qëndrimit para Zotit të vet dhe e ka ndaluar veten nga dëshirat e liga,
41. sigurisht që Xhenetin do ta ketë strehë.
42. Të pyesin ty për çastin e Kiametit se kur do të ndodhë?
43. E nga e di ti që t'u tregosh atyre?!
44. Vetëm te Zoti yt është dija për të.
45. Ti je vetëm paralajmërues për atë që i frikësohet atij.
46. Atë Ditë, kur ta shohin atë, do t’u duket sikur kanë qëndruar (në këtë botë) vetëm një pasdite ose një paradite.
Përkthimi i kuptimeve: Albanian Translation - Rowwad Translation Center, versioni 1.0.5, botuar pa ndryshime nga QuranEnc.com. (QuranEnc.com)
Përkthimi përcjell kuptimet e Kur'anit; ai nuk është vetë Kur'ani, i cili është teksti arab më sipër.