Sureja nr. 56 në Mus'haf, 96 ajete, fillon në faqen 534.
بِسۡمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحۡمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ
1. Kur të ndodhë ngjarja (e Kiametit),
2. s’ka kush që do ta mohojë ndodhinë e saj.
3. Disa do t'i poshtërojë e disa do t'i lartësojë.
4. Kur Toka të tronditet fort,
5. dhe malet të thërrmohen
6. e të bëhen si pluhur i shpërndarë,
7. ju do të ndaheni në tri grupe:
8. Njerëzit e së djathtës – vallë, ç'janë njerëzit e së djathtës!
9. Njerëzit e së majtës – vallë, ç'janë njerëzit e së majtës!
10. dhe prijatarët – prijatarët!
11. Ata janë të afruarit (tek Allahu),
12. në Kopshtet e Lumturisë,
13. një shumicë prej të hershmëve,
14. e një pakicë prej të mëvonshmëve,
15. në divane të stolisura me ar,
16. të mbështetur në to, përballë njëri-tjetrit.
17. Atyre do t'u shërbejnë djelmosha të përhershëm,
18. me kupa, ibrikë e gota me pije nga burimi,
19. prej së cilës nuk u dhemb koka e as dehen,
20. e me fruta që do t'i zgjedhin vetë
21. dhe mish shpendësh që ua ka ëndja.
22. Për ta ka edhe hyri symëdha,
23. porsi margaritarë të ruajtur mirë,
24. si shpërblim për atë që vepruan.
25. Aty nuk dëgjojnë fjalë të kota e as fjalë gjynahesh,
26. por vetëm fjalët: “Paqe! Paqe!”
27. E njerëzit e së djathtës - vallë, ç'janë njerëzit e së djathtës!
28. Ata do të qëndrojnë mes lotusëve pa gjemba,
29. dhe bananesh palë-palë,
30. në hije të gjera,
31. pranë ujit që rrjedh,
32. dhe frutave të shumta,
33. të cilat nuk sosen, as janë të ndaluara,
34. dhe në shtroja të ngritura.
35. Ne i kemi krijuar ato (gratë e Xhenetit) me një krijim të veçantë
36. dhe i kemi bërë të virgjra,
37. të dashura dhe të një moshe,
38. për njerëzit e së djathtës.
39. Një shumicë e tyre janë prej të hershmëve,
40. e një shumicë prej të mëvonshmëve.
41. Po njerëzit e së majtës - vallë, ç'janë njerëzit e së majtës!
42. Ata do të jenë mes erës së zjarrtë dhe ujit të valë,
43. në hije tymi të zi,
44. as të freskët, as të këndshme.
45. Ata, para kësaj, ishin të dhënë pas luksit,
46. këmbëngulnin në gjynahun e rëndë
47. dhe thoshin: “Vallë, kur të vdesim e të bëhemi pluhur e eshtra, atëherë do të ringjallemi?!
48. A edhe të parët tanë të lashtë?!"
49. Thuaju: "Po, të parët dhe të mbramët,
50. do të tubohen në një Ditë të caktuar.
51. E pastaj, ju, o të humbur e përgënjeshtrues,
52. me siguri do të hani nga pema e zekumit,
53. prej së cilës do të mbushni barqet.
54. Pastaj do të pini ujë të vluar,
55. do të pini si deve të etura."
56. Kjo është gostia e tyre në Ditën e Gjykimit.
57. Ne ju kemi krijuar. Atëherë, pse nuk besoni?
58. A e keni parë farën (e njeriut) që e hidhni?
59. A mos e krijoni ju apo Ne jemi Krijuesit?
60. Ne e kemi caktuar vdekjen tuaj dhe askush s'mund të na pengojë
61. për t’ju zëvendësuar me të tjerë si ju dhe për t’ju rikrijuar ashtu si nuk e dini.
62. Në të vërtetë, ju e dini krijimin e parë, pse atëherë nuk merrni mësim?
63. A e keni parë atë që mbillni?
64. A mos e bëni ju të mbijë apo Ne jemi që e bëjmë të mbijë?
65. Sikur të donim, do ta bënim byk e ju do të çuditeshit (e do të thoshit):
66. “Me të vërtetë jemi dëmtuar,
67. madje, jemi privuar plotësisht!”
68. A e keni parë ujin që pini?
69. A mos e zbritni ju nga retë apo jemi Ne që e zbresim?
70. Sikur të donim, do ta bënim të njelmët, andaj përse nuk jeni mirënjohës?!
71. A e keni parë zjarrin që ndizni?
72. A mos e krijuat ju drurin e tij apo Ne jemi që e krijuam?
73. Ne e bëmë atë kujtesë (për zjarrin e Xhehenemit) dhe dobi për udhëtarët.
74. Prandaj, lartëso emrin e Zotit tënd të Madhërishëm.
75. Betohem në vendndodhjen e yjeve,
76. – e ky është një betim i madh, veç sikur ta dinit, –
77. se, me të vërtetë, ky është një Kuran i nderuar,
78. në një Libër të ruajtur,
79. të cilin e prekin vetëm të pastrit.
80. Ai është shpallje prej Zotit të botëve.
81. Vallë, këtë fjalë (Kuranin) po e përgënjeshtroni
82. dhe në vend se të falënderoni për rizkun tuaj, ju po mohoni?!
83. E pse atëherë, kur shpirti arrin në fyt,
84. e ju në atë çast vetëm shikoni[1],
[1] njeriun që gjendet në agoninë e vdekjes.
85. ndërkohë që Ne jemi më afër tij sesa ju, por ju nuk shihni?
86. E pse pra, nëse nuk do të gjykoheni (në botën e amshuar),
87. nuk ia ktheni shpirtin, nëse thoni të vërtetën?
88. Nëse ai është nga të afruarit (tek Allahu),
89. do të ketë prehje, erë të këndshme dhe Xhenet plot mirësi.
90. E nëse është nga njerëzit e së djathtës,
91. atëherë (i thuhet:) "Paqe për ty" nga njerëzit e së djathtës.
92. Por, nëse është nga përgënjeshtruesit e humbur,
93. atëherë atë e pret gostitja me ujë të vluar,
94. dhe djegia në Zjarrin flakërues.
95. Pa dyshim, kjo është e vërteta e sigurt!
96. Prandaj, lartëso emrin e Zotit tënd të Madhërishëm.
Përkthimi i kuptimeve: Albanian Translation - Rowwad Translation Center, versioni 1.0.5, botuar pa ndryshime nga QuranEnc.com. (QuranEnc.com)
Përkthimi përcjell kuptimet e Kur'anit; ai nuk është vetë Kur'ani, i cili është teksti arab më sipër.