Sureja nr. 55 në Mus'haf, 78 ajete, fillon në faqen 531.
بِسۡمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحۡمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ
1. I Gjithëmëshirshmi
2. ia mësoi (njeriut) Kuranin,
3. e krijoi njeriun
4. dhe ia mësoi atij të shprehurit e qartë.
5. Dielli dhe Hëna lëvizin sipas një llogarie të caktuar.
6. Bimët dhe pemët përulen (para Allahut).
7. Qiellin e ngriti lart dhe vuri peshoren e drejtësisë,
8. që të mos bëni padrejtësi në peshore.
9. Prandaj matni me drejtësi dhe mos hani në peshë!
10. Edhe tokën e bëri për gjallesat.
11. Në të ka fruta dhe hurma të mbështjella,
12. si dhe drithëra me gjethe e bimë me erë të këndshme.
13. Pra, cilat mirësi të Zotit tuaj po i mohoni?!
14. Njeriun e krijoi prej baltës së pjekur porsi vorbë,
15. kurse xhinët i krijoi prej flakës së zjarrit pa tym.
16. Pra, cilat mirësi të Zotit tuaj po i mohoni?!
17. Ai është Zoti i dy lindjeve dhe dy perëndimeve.
18. Pra, cilat mirësi të Zotit tuaj po i mohoni?!
19. Ai i lë dy dete që të takohen,
20. por mes tyre ka një pengesë që s'mund ta kapërcejnë.
21. Pra, cilat mirësi të Zotit tuaj po i mohoni?!
22. Prej tyre nxirren margaritarë e merxhanë.
23. Pra, cilat mirësi të Zotit tuaj po i mohoni?!
24. Atij i përkasin anijet që lundrojnë në det, të ngritura porsi malet.
25. Pra, cilat mirësi të Zotit tuaj po i mohoni?!
26. Çdo gjë që është në Tokë do të zhduket,
27. e do të mbetet vetëm fytyra e Zotit tënd gjithë madhështi e nderim.
28. Pra, cilat mirësi të Zotit tuaj po i mohoni?!
29. Atij i luten krejt ata që janë në qiej e në Tokë. Çdo ditë Ai është në një çështje (të re).[1]
[1] Fjala “çështje” nënkupton veprimet e shumta të Allahut ndaj krijesave të Tij: Ai jep jetë dhe vdekje, furnizon, shëron, fal, ndëshkon, lartëson e poshtëron, duke vepruar çdo ditë me urtësinë dhe fuqinë e Tij të përsosur.
30. Pra, cilat mirësi të Zotit tuaj po i mohoni?!
31. Së shpejti do të merremi me ju, o ju dy të rënduar (njerëz e xhinë)!
32. Pra, cilat mirësi të Zotit tuaj po i mohoni?!
33. O shoqëri e xhinëve dhe njerëzve, nëse mund të përshkoni kufijtë e qiejve e të Tokës, atëherë përshkojini! Por, nuk do të mund t'i përshkoni, përveçse me ndonjë fuqi.
34. Pra, cilat mirësi të Zotit tuaj po i mohoni?!
35. Kundër jush do të lëshohen flakë zjarri e bakër i shkrirë dhe nuk do të mund të mbroheni.
36. Pra, cilat mirësi të Zotit tuaj po i mohoni?!
37. Kur qielli të çahet e të bëhet i kuq si trëndafili e (të shkëlqejë) si vaji!
38. Pra, cilat mirësi të Zotit tuaj po i mohoni?!
39. Atë Ditë askush nuk do të pyetet për gjynahun e tij, as njeri e as xhin.
40. Pra, cilat mirësi të Zotit tuaj po i mohoni?!
41. Keqbërësit do të njihen nga shenjat e tyre dhe do të kapen për ballukesh e për këmbësh.
42. Pra, cilat mirësi të Zotit tuaj po i mohoni?!
43. Ja, ky është Xhehenemi, të cilin e përgënjeshtronin keqbërësit!
44. Ata do të vërtiten mes zjarrit dhe ujit përvëlues.
45. Pra, cilat mirësi të Zotit tuaj po i mohoni?!
46. E për atë që i frikësohet paraqitjes para Zotit të vet ka dy kopshte Xheneti.
47. Pra, cilat mirësi të Zotit tuaj po i mohoni?!
48. Ato (dy kopshte) kanë degë të shumta.
49. Pra, cilat mirësi të Zotit tuaj po i mohoni?!
50. Në to ka dy burime që rrjedhin.
51. Pra, cilat mirësi të Zotit tuaj po i mohoni?!
52. Në to ka prej çdo frute nga dy lloje.
53. Pra, cilat mirësi të Zotit tuaj po i mohoni?!
54. Ata do të jenë të mbështetur në shtroja të veshura nga brenda me mëndafsh të trashë e frutat e dy kopshteve do t'i kenë krejt pranë.
55. Pra, cilat mirësi të Zotit tuaj po i mohoni?!
56. Aty do të jenë vashat e dëlira, të cilat nuk i ka prekur njeri para tyre, as xhin.
57. Pra, cilat mirësi të Zotit tuaj po i mohoni?!
58. Ato janë si xhevahirë e merxhanë.
59. Pra, cilat mirësi të Zotit tuaj po i mohoni?!
60. A mund të ketë për mirësinë shpërblim tjetër përveç mirësisë?!
61. Pra, cilat mirësi të Zotit tuaj po i mohoni?!
62. Nën ato dy kopshte janë dy kopshte të tjera.
63. Pra, cilat mirësi të Zotit tuaj po i mohoni?!
64. Shumë të gjelbra.
65. Pra, cilat mirësi të Zotit tuaj po i mohoni?!
66. Në to janë dy burime që gufojnë.
67. Pra, cilat mirësi të Zotit tuaj po i mohoni?!
68. Në to ka fruta, palma dhe shegë.
69. Pra, cilat mirësi të Zotit tuaj po i mohoni?!
70. Në to ka gra të mira e bukuroshe.
71. Pra, cilat mirësi të Zotit tuaj po i mohoni?!
72. Hyri që qëndrojnë në tenda.
73. Pra, cilat mirësi të Zotit tuaj po i mohoni?!
74. Ato nuk i ka prekur para tyre njeri e as xhin.
75. Pra, cilat mirësi të Zotit tuaj po i mohoni?!
76. Ata do të qëndrojnë të mbështetur në shtroja të gjelbra e qilima të bukur.
77. Pra, cilat mirësi të Zotit tuaj po i mohoni?!
78. Qoftë bekuar emri i Zotit tënd gjithë madhështi e nderim!
Përkthimi i kuptimeve: Albanian Translation - Rowwad Translation Center, versioni 1.0.5, botuar pa ndryshime nga QuranEnc.com. (QuranEnc.com)
Përkthimi përcjell kuptimet e Kur'anit; ai nuk është vetë Kur'ani, i cili është teksti arab më sipër.