Sureja nr. 71 në Mus'haf, 28 ajete, fillon në faqen 570.
بِسۡمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحۡمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ
1. Ne e dërguam Nuhun te populli i tij (duke i thënë): "Paralajmëroje popullin tënd para se t’i vijë një dënim i dhembshëm!"
2. Ai tha: "O populli im! Vërtet, unë jam paralajmërues i qartë për ju:
3. adhurojeni Allahun, frikësojuni Atij dhe bindmuni mua,
4. që t'jua falë gjynahet tuaja dhe t'ju japë afat deri në një kohë të caktuar. E, kur të vijë afati i Allahut, nuk mund të shtyhet, veç sikur ta dinit!
5. Ai tha: "Zoti im, unë e thirra popullin tim natë e ditë,
6. por thirrja ime vetëm ua shtoi ikjen.
7. Madje, sa herë që i thirrja që Ti t’i falje, ata fusnin gishtat në veshë, mbuloheshin me rroba, ngulnin këmbë (në mosbesim) dhe silleshin me mendjemadhësi.
8. Pastaj, unë i thirra haptazi.
9. Më pas, i thirra edhe me zë të lartë, e edhe fshehurazi
10. e u thashë: "Kërkoni falje nga Zoti juaj, sepse Ai është shumë Falës,
11. që t'ju lëshojë shi me bollëk,
12. t'jua shtojë pasurinë e fëmijët dhe të bëjë për ju kopshte e lumenj!"
13. Ç'është puna juaj që nuk e madhëroni Allahun siç i takon,
14. ndërkohë që Ai ju ka krijuar në disa etapa?!
15. A nuk e shihni si i ka krijuar Allahu shtatë qiej, palë-palë
16. dhe në ta e ka bërë Hënën dritë, kurse Diellin kandil?
17. Allahu ju krijoi prej tokës,[1]
[1] E krijoi Ademin (paqja qoftë mbi të!), babanë e njerëzimit, prej dheu.
18. pastaj ju kthen në të dhe më pas ju nxjerr prej saj.
19. Allahu jua bëri Tokën të sheshtë,
20. që të mund të ecni nëpër rrugët e saj të gjera."
21. Nuhu tha: "Zoti im, ata më kundërshtuan dhe ndoqën ata, pasuria dhe fëmijët e të cilëve nuk u shtuan gjë tjetër atyre përveç humbjes.
22. Dhe kurdisën një kurth të madh
23. e thanë: 'Kurrsesi mos i lini zotat tuaj! Mos e lini as Vedin, as Suvain, as Jeguthin, as Jeukun e as Nesrin!'
24. Njëmend, ata çuan në humbje shumëkënd. Prandaj, të padrejtëve mos u shto gjë tjetër përveç humbjes!"
25. Për shkak të gjynaheve të tyre, ata u përmbytën e pastaj u hodhën në Zjarr dhe nuk gjetën askënd që t'i mbrojë prej Allahut.
26. Nuhu tha: "Zoti im, mos lër mbi tokë asnjë banor jobesimtar,
27. sepse, po i le, ata do t'i çojnë në humbje robërit e Tu dhe do të lindin vetëm të shfrenuar e mohues.
28. Zoti im! Më fal mua, prindërit e mi dhe këdo që hyn në shtëpinë time si besimtar, si dhe gjithë besimtarët e besimtaret, ndërsa zullumqarëve shtoju vetëm shkatërrim!
Përkthimi i kuptimeve: Albanian Translation - Rowwad Translation Center, versioni 1.0.5, botuar pa ndryshime nga QuranEnc.com. (QuranEnc.com)
Përkthimi përcjell kuptimet e Kur'anit; ai nuk është vetë Kur'ani, i cili është teksti arab më sipër.