Logoja e TartilTartilRadio drejtpërdrejt

Sureja El Munafikun: teksti dhe përkthimi i kuptimeve

Sureja nr. 63 në Mus'haf, 11 ajete, fillon në faqen 554.

Dëgjoni recitimet e sajLexojeni këtë sure në Mus'haf me tefsir‹ Sureja El XhumuaSureja Et Tegabun ›

بِسۡمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحۡمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ

1. Kur dyfytyrëshit vijnë te ti, thonë: "Ne dëshmojmë se ti je vërtet i Dërguari i Allahut." Allahu e di se ti je i Dërguari i Tij, por Allahu dëshmon se dyfytyrëshit po gënjejnë.

2. Ata marrin betimin e tyre si mburojë dhe i pengojnë njerëzit nga rruga e Allahut. Sa e shëmtuar është ajo që bëjnë!

3. Kjo, ngaqë ata besuan, pastaj mohuan, prandaj zemrat e tyre janë vulosur, kështu që nuk kuptojnë.

4. Kur t'i shohësh, të mahnit pamja e tyre e, nëse flasin, ua vë veshin fjalëve të tyre. Por, ata janë si trarë të mbështetur. Çdo thirrje e mendojnë kundër tyre. Ata janë armiqtë e vërtetë, prandaj ruaju prej tyre! Allahu i mallkoftë! Si po largohen (nga e vërteta)?!

5. Kur u thuhet atyre: "Ejani që i Dërguari i Allahut të kërkojë falje për ju", ata tundin kokat dhe i sheh sesi shmangen me mendjemadhësi.

6. Është krejt njësoj, u lute apo nuk u lute për faljen e tyre, Allahu nuk do t’i falë. Njëmend, Allahu nuk i udhëzon njerëzit e pabindur.

7. Janë pikërisht ata që thonë: "Mos u jepni atyre që janë pranë të Dërguarit të Allahut, në mënyrë që të largohen prej tij!" Ndërkohë, të Allahut janë thesaret e qiejve e të Tokës, por dyfytyrëshit nuk e kuptojnë.

8. Ata thonë: "Nëse kthehemi në Medinë, krenarët do t'i dëbojnë prej saj të përbuzurit." Në të vërtetë, e tërë krenaria i takon Allahut, të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve, por dyfytyrëshit nuk e dinë këtë.

9. O ju që besoni! Mos lejoni që pasuria dhe fëmijët tuaj t’ju largojnë nga përmendja e Allahut! Ata që veprojnë kështu, mu ata janë të humburit.

10. Jepni nga të mirat që jua kemi dhënë para se t'i vijë vdekja ndonjërit e të thotë: "Zoti im, sikur të ma shtyje edhe pak afatin, që të jepja lëmoshë dhe të bëhesha i mirë!"

11. Por, Allahu nuk ia shtyn afatin askujt, kur t'i vijë ai. Allahu di mirë gjithçka që bëni.

Përkthimi i kuptimeve: Albanian Translation - Rowwad Translation Center, versioni 1.0.5, botuar pa ndryshime nga QuranEnc.com. (QuranEnc.com)

Përkthimi përcjell kuptimet e Kur'anit; ai nuk është vetë Kur'ani, i cili është teksti arab më sipër.

Dëgjoni recitimet e sajLexojeni këtë sure në Mus'haf me tefsir‹ Sureja El XhumuaSureja Et Tegabun ›