Logoja e TartilTartilRadio drejtpërdrejt

Sureja Es Saff: teksti dhe përkthimi i kuptimeve

Sureja nr. 61 në Mus'haf, 14 ajete, fillon në faqen 551.

Dëgjoni recitimet e sajLexojeni këtë sure në Mus'haf me tefsir‹ Sureja El MumtehineSureja El Xhumua ›

بِسۡمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحۡمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ

1. Allahun e lartëson çdo gjë që është në qiej dhe në Tokë. Ai është i Gjithëfuqishmi, i Urti.

2. O ju që besoni! Përse e thoni atë që nuk e bëni?

3. Është shumë e urryer tek Allahu të thoni atë që nuk e bëni.

4. Njëmend, Allahu i do ata që luftojnë në rrugën e Tij të rreshtuar si të ishin ndërtesë e fortifikuar.

5. Kujto kur Musai i tha popullit të vet: "O populli im, përse më lëndoni duke e ditur se unë jam i dërguari i Allahut për ju?!" Por, kur ata u shmangën, Allahu ua shmangu zemrat (nga e vërteta). Allahu nuk e udhëzon popullin e pabindur.

6. Kujto edhe kur Isai, i biri i Merjemes, tha: "O bij të Israilit, unë jam i dërguari i Allahut për ju. Jam vërtetues i asaj që erdhi para meje në Teurat dhe përgëzues për ardhjen e një të Dërguari, emri i të cilit është Ahmed." Por, kur ai u erdhi me prova të qarta, ata thanë: "Kjo është një magji e qartë."

7. E kush është më i padrejtë se ai që trillon gënjeshtra për Allahun, ndërkohë që i bëhet thirrje për të hyrë në Islam?! Allahu nuk i udhëzon njerëzit e padrejtë.

8. Ata duan të shuajnë dritën e Allahut me gojën e tyre, kurse Allahu e plotëson dritën e Vet, edhe pse këtë e urrejnë jobesimtarët.

9. Është Ai që e çoi të Dërguarin e Tij me udhëzimin dhe fenë e vërtetë, që ta bëjë mbizotëruese mbi të gjitha fetë, edhe pse e urrejnë idhujtarët.

10. O ju që besoni! A t'ju tregoj për një tregti që ju shpëton nga një dënim i dhembshëm?

11. Të besoni Allahun e të Dërguarin e Tij dhe të luftoni në rrugën e Allahut me pasurinë dhe jetën tuaj. – Kjo është më mirë për ju, sikur ta dinit. –

12. Që Allahu t'jua falë gjynahet dhe t'ju fusë në kopshte të Xhenetit, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, dhe në pallate të këndshme në Xhenetin e Adnit. Kjo është fitorja e madhe.

13. Ai do t'ju dhurojë edhe diçka tjetër që e dëshironi: ndihmën e Allahut dhe një çlirim të afërt. Andaj, përgëzoji besimtarët!

14. O ju që besoni! Bëhuni ndihmëtarë (të fesë së) Allahut, ashtu siç u tha Isai nxënësve të tij: "Cilët janë ndihmëtarët e mi në rrugën e Allahut?" Nxënësit e tij thanë: "Ne jemi ndihmëtarët e Allahut." Atëherë, një pjesë e bijve të Israilit besuan e një pjesë mohuan. Prandaj, Ne i mbështetëm ata që besuan kundrejt armikut të tyre dhe kështu u bënë ngadhënjimtarë.

Përkthimi i kuptimeve: Albanian Translation - Rowwad Translation Center, versioni 1.0.5, botuar pa ndryshime nga QuranEnc.com. (QuranEnc.com)

Përkthimi përcjell kuptimet e Kur'anit; ai nuk është vetë Kur'ani, i cili është teksti arab më sipër.

Dëgjoni recitimet e sajLexojeni këtë sure në Mus'haf me tefsir‹ Sureja El MumtehineSureja El Xhumua ›